Mjeksia Pejgamberike

Sëmundja ndahet në dy lloje kryesore: sëmundje e zemrës (e shpirtit) dhe sëmundje e trupit (fizike). Është për qëllim me sëmundjen e zemrës: ajo shpirtërore, që lidhet me besimin apo dyshimin, dhe që lidhet me ndjekjen e dëshirave dhe kënaqësive në mënyrë të palejuar dhe të pamoralshme. Dhe nuk është për qëllim këtu sëmundja e organit të zemrës, sepse ajo futet në sëmundjet trupore. Shërimi i këtij lloji të sëmundjes kthehet tek Pejgamberët dhe ajo që u është shpallur atyre nga Allahu. Zemra e shëndoshë është ajo zemër e cila e njeh Zotin e saj, emrat e Tij, atributet e Tij, veprat e Tij, ligjet e Tij; dhe i përgjigjet thirrjes së Tij me kryerjen e atyre që Ai do dhe pëlqen, dhe largimin nga ato që Ai ndalon dhe urren. Njeriu nuk ka kurrë shëndet pa këtë, edhe nëse fiziku i tij do t’i dukej i shëndetshëm, dhe çdo njeri e ndjen këtë gjë, sepse e ka në natyrën e tij njerëzore: që nuk mund të bëjë pa shërimin e shpirtit dhe se kur dëmtohet shëndeti i shpirtit, është dëmtuar i gjithë trupi, dhe se dhembja shpirtërore është më e rëndë se dhembja trupore fizike! Ndërsa sëmundja e trupit është e shumëllojshme, sa që çdo organ i trupit ka sëmundjet e veta, dhe kurimi i çdo sëmundje ka veçoritë e veta. Mjekësia Pejgamberike është tre llojesh: 1. Me ilaçe natyrore. 2. Me ilaçe Hyjnore. 3. Me të dyja këto së bashku. Dhe ky është kurimi më i plotë, më i efektshëm dhe më i dobishëm për njeriun. Mjekësia popullore është: çdo lloj mënyre kuruese ku nuk përdoren barnat dhe ilaçet në kurimin e sëmundjeve, por përdoren bimë mjekësore, ushqime, hixhame (nxjerrje e gjakut me kupa), hekur i nxehtë, gjilpërat kineze, etj. Mjekësinë popullore e kanë përdorur të gjithë popujt që në kohët e vjetra e deri më sot. Jo të gjitha mënyrat e kurave popullore i janë nënshtruar eksperimenteve shkencore bashkëkohore, por ato janë përcjellë brez pas brezi ashtu si kanë ardhur, dhe njerëzit i kanë përfituar ato nga përvoja. Kështu që, mjekësisë shkencore bashkëkohore i del obligim që t’i eksperimentojë këto kura dhe ky është një detyrim shoqëror bashkëkohor për të mirën e njerëzimit, pasi që përdorimet dërrmuese të mjekësisë popullore lidhen me sëmundjet kronike dhe të rënda në mjekësi. Duhet pasur parasysh se kurimi me mjekësinë popullore, duhet të bëhet pas vizitës te mjeku specialist me qëllim që të përcaktohet sëmundja dhe pastaj të jepet ilaçi i përshtatshëm popullor, që të eliminohen gabimet dhe se ndoshta një sëmundje e caktuar është më e lehtë që të kurohet me mjekësi shkencore se sa me atë popullore. Dhe po kështu, mjeku popullor duhet të jetë i besueshëm dhe i ditur me të gjitha ilaçet popullore dhe me sëmundjet e njeriut, dhe të ketë përvojë e eksperiencë në të kuruarit me bimë mjekësore. Të ketë frikë Allahun për atë që bën, sepse puna e tij lidhet me jetë njerëzore dhe ai duhet të jetë i përgjegjshëm, e jo të jetë qëllimi i tij përfitimi material. Në përgjithësi, mjekësia popullore nuk ka ndikime dytësore dhe as pasoja anësore, sepse ilaçet e përdorura në të janë natyrore, ndryshe nga ato kimike, të cilat kanë ndikime dytësore, dhe që të gjithë mjekët e të gjitha kohërave janë dakord se, kurimi me ushqim është më i mirë se kurimi me ilaçe, dhe se kurimi me ilaçe të thjeshta është më i mirë se ai me ilaçe të përbëra, dhe nëse kurimi me bimë mjekësore është i mundshëm, ai është më i mirë se kurimi me ilaçe kimike. Por megjithatë, kjo nuk do të thotë se këto bimë mjekësore mund t’i përdorë gjithkush për ilaç, qoftë për veten apo për të tjerët, por i sëmuri duhet të kthehet tek mjeku specialist, shkencor e popullor. Hapja e ketij këndi për shëndetin ishte një domosdoshmëri dhe mund ta konsideronim mbushje të një boshllëku që ekziston tek muslimanët sot, të cilët kanë neglizhuar shumë në lidhje me mjekësinë dhe shkencat e tjera bashkëkohore, dhe nuk janë më të parët, ashtu si kanë qenë më parë. Në këtë kënd, shpresojmë t’ju vijmë në ndihmë me gjithçka që lidhet me shëndetin e njeriut, shpirtëror dhe fizik, me sa të na mundësojë Allahu, me ndihmën dhe fuqinë e Tij, sepse ne nuk kemi fuqi dhe as gjë në dorë, përveçse me ndihmën e Allahut dhe suksesin nga Ai. Allahu është Zoti ynë, Ndihmuesi ynë, Ai i cili jep sukses. Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dërguarin tonë, Muhamedin, familjen e tij, shokët e tij dhe të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në ditën e Kiametit!